Zyrtarisht njihet si Kamenicë, ndërsa në popull njihet edhe me emrin Dardana. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), nga Regjistrimi i Popullsisë i vitit 2024, qyteti i Kamenicës ka 5,206 banorë, ndërsa e gjithë Komuna e Kamenicës ka 22,868 banorë.
Kamenica shtrihet në pjesën lindore të Kosovës. Qyteti përfshin lagje si Qendra, Çamëria, Malësia dhe Iliria. Në afërsi të tij gjenden vendbanimet Berivojcë, Moçar, Grizimë, Hajnoc, Ruboc dhe Gogolloc, si dhe Miganoci dhe Bushinca, që i përkasin Komunës së Novobërdës (Artanës).
Në Kamenicë janë të vendosura institucionet komunale, përfshirë Zyrën e Kryetarit të Komunës, drejtoritë komunale dhe Kuvendin Komunal.
Gjithashtu, në qytet funksionojnë shërbime dhe institucione të ndryshme publike, ndër to Qendra e Regjistrimit Civil dhe e Automjeteve, Stacioni Policor, shërbimet shëndetësore, njësia lokale e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidromorava”, dega e Gjykatës Themelore të Gjilanit dhe Zyra Postare.
Kamenica ka edhe institucione dhe hapësira për arsim, kulturë dhe sport, përfshirë Shtëpinë e Kulturës, fushën e futbollit, shkollën e mesme profesionale, gjimnazin, dy shkolla fillore dhe të mesme të ulëta, si dhe çerdhen për fëmijë.