Fshati Hodonoc, historiku

Për historinë e fshatit Hodonoc dihet pak, pra se kur filloi jeta në të dhe si vazhdoi deri në ditët e sotme. Më të moshuarit pohojnë se aty afër ishte një odë, në të cilën shpesh pushonin kalimtarët, dhe ishte bërë e njohur si Oda e Nocit, prej të cilit buron edhe emri Hodanoc(1)

Në vitin 1498 haset emri Hodanoc, që kishte 19 kryefamiljarë. Rreth vitit 1905, fshati kishte 50 shtëpi.

Sipas regjistrimit të vitit 1981, fshati ka 280 shtëpi, me 1871 banorë, prej tyre 108 punëtorë aktivë, që punojnë përkohësisht në botën e jashtme, dhe 9 punëtorë që qëndrojnë atje të papunë. Kurse, sipas një gojëdhëne thuhet se fshati Hodonoc u themelua prej dy vëllezërve. Njëri prej tyre kishte pasur 6 djem, kurse tjetri dy. Meqenëse murtaja ishte shfarosëse në ato kohë, gruaja e vëllait të madh tha: “Po edhe t'u binte murtaja bijve të mi, unë kam gjashtë djem dhe me siguri ndonjëri do të shpëtojë”. Por, deshi fati i keq që murtaja u ra, dhe të gjashtët vdiqën, kurse dy djemtë e vëllait të vogël mbetën gjallë, dhe prej tyre u formua fshati Hodonoc, i cili është i ndarë në dy lagje, Lagjja e Epërme dhe Lagjja e Poshtme. Sipas statistikës që jep autori serb Atanasije Urosheviq, në librin e tij "Kriva Reka e Novobërdës”(2), kur flet për familjet shqiptare që jetonin në fshatin Hodonoc, në kohët e mëhershme, ai përmend Deli Nuzët (Deli Jonuzët) (8 shtëpi), Arifovitë (17 shtëpi), Imer Bashët (10 shtëpi), Kyçikët (6 shtëpi), Hoxhovitë (7 shtëpi) dhe Lecët (11 shtëpi). Të gjithë janë nga fisi Kryezi, kurse i përkasin vëllazërisë Morina(3)

___________________

(1) Mr. Sc. Xhavit Kryeziu, Pishtarët e shkollave shqipe në Dardanë (Kamenicë) I, Gjilan, 2006, f. 65

(2) Dr. Atanasije Urosheviq, Novobrdska Kriva Reka, Prishtina, 1966, Str,128

(3) Ibid. str. 128.

Kjo pjesë është marrë nga shkrimi i të ndjerit Mr. Qemajl Morina